Foto: KALLXO.com

Isa Mustafa: U befasova që nuk ishim të parët në zgjedhje

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa është shprehur i befasuar me rezultatet e zgjedhjeve të 6 tetorit.

Në një intervistë për emisionin “Jeta në Kosovë”, Mustafa tha se kishte pritur që do të dalin të parët.

“Unë këtë se kam pritur, unë kam pritur që LDK-ja do të jetë subjekt i parë. Edhe i kemi bërë ndryshimet( me kandidaten për kryeministre), unë nuk mujsha me prit edhe s’kam prit as vetë që ne do të vijmë në situatë që nuk do të dalim të parët sepse të parët kemi qenë me perceptim të opinionit. Edhe përderisa zonja Osmani nuk ka qenë kandidate për kryeministre, ne kemi qenë parti e parë”, tha Mustafa.

Mustafa përballë Jeta Xharrës ka folur edhe rolin e nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Hazirit, në fushatë.

Ai tha se Haziri ka qenë personi i duhur për ta udhëhequr fushatën.

“Unë mendoj që ka qenë, për arsye që është njeri që gjatë ka qenë në LDK, ka komunikim t mirë dhe sjellje të mirë në opinion, nuk ka qenë një rol i veçantë i z.Hazirit sepse kemi pasur një shtab dhe mendoj se në asnjë rast, z. Haziri nuk i ka bërë dëm fushatës”, tha Mustafa.

Në zgjedhjet e 6 tetorit, rezultatet e së cilave ende nuk janë çertifikuar, partia e parë ka dalë Lëvizja Vetëvendosje, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Këto dy parti tash disa javë janë në bisedime për harmonizim të programit.

Megjithatë, takime në mes liderëve nuk kanë ndodhur dhe nuk priten të ndodhin deri në çertifikim.

Përballë Jeta Xharrës, Mustafa foli për shumë tema të aktualitetit politik, përfshirë bisedimet me Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e qeverisë së ardhshme.

Emisionin e plotë mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: