Isa Mustafa: Të trajtohet ligjshmëria e votave të ardhura nga Serbia

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, përmes një publikimi në Facebook ka thënë se duhet të trajtohet ligjshmëria e votave të ardhura nga Serbia sepse në të kundërtën legalizohet kontrabandimi me vota.

Mustafa ka përmendur rastin e Istogut në zgjedhjet e kaluara lokale, duke thënë se organet ligjore parandaluan makinacionet e tilla që deformojnë vullnetin politik të qytetarëve të Kosovës.

“Si Kryetar i LDK-së kërkoj nga KQZ-ja të trajtojë ligjshmërinë e votave të ardhura në pliko nga Serbia, për Listën Serbe. Paralajmërimi se këto vota do të hyjnë në numërim, pa një vendim të KQZ-së se a i plotësojnë ato kushtet ligjore, hapë rrugë për të legalizuar kontrabandimin e votës edhe në të ardhmen. Një gjë e tillë u tentua të bëhet në zgjedhjet e kaluara lokale në Istog, por organet ligjore parandaluan makinacionet e tilla që deformojnë vullnetin politik të qytetarëve të Kosovës. Nuk duhet lejuar asnjë votë të paligjshme në Kosovë”, ka shkruar Mustafa.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), sot ka nisur shqyrtimin dhe vlerësimin e zarfeve me fletëvotime që kanë ardhur nga Serbia.

KALLXO.com sot ka raportuar se zyrtarë të KQZ-së dhe ekspertë të forenzikës kanë hapur dyert e sallës në Ministrinë e Infrastrukturës në të cilën janë të vendosura zarfet me fletëvotime të ardhura nga Serbia, për të cilat ka pasur dyshime për helm.

Ndërkaq, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë për KALLXO.com, se vlerësimi i zarfeve është i domosdoshëm pasi ka për qëllim të identifikojë një fletëvotim me personin që e ka dërguar pakon.

KQZ nis verifikimin e zarfeve të ardhura nga Serbia

wwww.kallxo.com