Isa Mustafa takohet me Ambasadorin britanik, flasin për bashkëqeverisjen me LVV

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa është takuar sot me Ambasadorin e Britanisë së Madhe, Nicholas Abbott i shoqëruar nga kryesuesi i Departamentit Politik në Ambasadën e MB-së, Samuel Paice.

Ambasadori britanik uroi Mustafen për mbarëvajtjen e suksesshme të zgjedhjeve parlamentare dhe sipas një njoftimi thuhet se ai shprehu interesimin e tyre për përkrahjen e procesit të dialogut Kosovë – Serbi.

Ndërkaq, Mustafa njoftoi ambasadorin për vazhdimin e takimeve të grupeve punuese të LDK-së me ato të LVV-së për përafrimin e programeve të të dy partive drejt një programi të përbashkët qeverisës.

Në komunikatë thuhet se LDK-ja, në Qeverinë e ardhshme, do të përqendrohet në funksionalizimin e shtetit ligjor, arsimit, shëndetësisë, integrimeve evropiane si dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Po ashtu, kryetari Mustafa, duke falënderuar Ambasadorin Abbott për përkrahjen e shtetit të tij ndaj Kosovës në të gjitha sferat, potencoi domosdoshmërinë e vazhdimit të bashkëpunimit Kosovë – Mbretëri e Bashkuar.