Isa Mustafa shkruan për Vjosa Osmanin, kandidaten për kryeministre

Gjatë ditës së djeshme, Lidhja Demokratike e Kosovës shpalli kandidaturën për të parin e Qeverisë së Kosovës.

Vjosa Osmani është kandidatja nga radhët e LDK-së për zgjedhjet e jashtëzakonshme të cilat do të mbahen më 6 tetor. Por, kandidatura e saj pritet të zyrtarizohet në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së.

Në lidhje me këtë rast, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa me anë të një postimi në rrjetin social Facebook ka thënë se Vjosa Osmani mori përkrahje të plotë nga Kryesia e LDK-së.

“Vjosa është kandidatja e parë grua që nominohet për pozitën më të lartë qeveritare në Kosovë. E arsimuar dhe e përgatitur në Kosovë dhe SHBA. E re. Por, me përvojë shtetërore e parlamentare për tu përballur me sfida të mëdha dhe shumë serioze”, ka shkruar Mustafa.

Ai shtoi se ishin dy kandidatë nga ana e LDK-së për këtë pozitë, ndërsa bëri me dije se Lutfi Haziri i ka dhënë përkrahje Osmanit.

“Vjosa nuk ishte e vetmja kandidate e LDK-së për këtë pozitë. Ishte, po ashtu, z. Lutfi Haziri, tani Kryetar i Gjilanit. Më herët zëvendëskryeministër e deputet. Z. Haziri me shembullin e një veprimtari të devotshëm të LDK-së, një lideri me të cilin krenohemi jo vetëm ne në LDK, kësaj radhe i dha përkrahje të parezervë Vjosës”, ka shkruar tutje ai.

Madje Mustafa pret që përkrahje të marrë edhe nga Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së e edhe nga qytetarët e Kosovës.

“Një grua; një nënë e re, e përkushtuar për familjen dhe vendin e vet, që ka guxim dhe kurajo të përballet me valët e trazuara të qeverisjes së keqe e të kapjes së shtetit, meriton mbështetje të gjerë e të parezervë qytetare”, ka shkruar Mustafa.