Foto: KALLXO.com

Isa Mustafa reagon pasi Hoti anuloi udhëtimin në Uashington

I pari i LDK-së, Isa Mustafa përmes një postimi në facebook ka reaguar pasi kryeministri i vendit ka anuluar pjesmarrjen e tij në takimin e 27 qershorit në Uashington.

Sipas Mustafës, LDK nuk ka konfuzion se a duhet të shkoj kryeministri në Washington apo jo, pasi që sipas tij LDK beson fuqishëm në SHBA-të.

“Për në Washington u nis delegacioni shtetëror i Kosovës me vullnetin më të mirë, por u nda përgjysmë sa ishte në aeroplan. Në Uashington shkohet me përkrahje të partive të koalicionit dhe të opozitës, sikurse edhe të të gjitha institucioneve shtetërore, jo vetëm me bindjen se kush duhet ti prijë delegacionit”, ka shkruar Mustafa në postimin e tij.

Sipas Mustafës është e mjerueshme të mendohet e të shkruhet se Hoti si kryeministër e ka tani shansin të shkojë e ti prijë delegacionit, pasi tani nuk është Thaçi për shkak të Gjykatës Speciale.

“Nuk kemi të bëjmë me Z. Thaçi dhe z. Hoti por kemi të bëjmë me shtetin e Kosovë. Bashkëpunimi ynë me SHBA-të dhe BE nuk mund dhe nuk duhet të lidhet me proceset dhe procedurat e Dhomave të Veçanta të Gjykatës Speciale”, ka shkruar Mustafa.

Mustafa tutje ka shkruar se në situatën e krijuar , para se të takohen me Vuçiqin nevojitet të takohen edhe një herë mes veti.

“Të ulemi të gjithë bashk të bisedojmë, të gjejmë rrugë dhe zgjidhje të qëndrueshme. Të sigurojmë funksionimin e të gjitha institucioneve shtetërore, sepse pa funksionimin normal te tyre, është iluzore se mund të ecet me marrëveshje”, ka shkruar Mustafa.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka anuluar pjesëmarrjen në takimin e paraparë të mbahet më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë, lidhur me dialogun Kosovë-Serbi.

Anulimi i takimit nga ana e Hotit erdhi pas njoftimit nga Prokuroria e Specializuar në Hagë se është ngritur aktakuzë ndaj Presidentit Hashim Thaçi, i cili gjithashtu ishte paraparë të merrte pjesë në takimin në ShBA.

Prokruroria e Specializuar ka ngritur aktakuzë edhe për Kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli.

Hoti tha se do të kthehet në Kosovë nga udhëtimi i tij dhe tashmë ka njoftuar të deleguarin e ShBA-së për dialog, Richard Grenell, se nuk do të marrë pjesë në takim.

“Për shkak të zhvillimeve të reja në Prishtinë si rezultat i akuzave të dorëzuara nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, më duhet të kthehem në Prishtinë për tu marrë me situatën.E kam njoftuar Ambasadorin Grenell se nuk mund të marrë pjesë në takimin e datës 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë.”, ka shkruar Hoti