Isa Mustafa reagon pas kërkesave për dorëheqjen e ministres Hykmete Bajrami

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, i ka dalë në mbrojtje ministres së Financave, Hykmete Bajramit, pas skandalit që u bë publik sot për vjedhjen e 2 milionë eurove nga Thesari i shtetit.

Sipas Mustafës, ministrja Bajrami nuk ka nevojë të japë dorëheqje që t’i dorëzohet hajdutëve.

Mustafa ka kërkuar nga organet shtetërore që të punojnë për zbardhjen e rastit dhe të mundësohet kthimi i parave në buxhetin e shtetit.

Lexoni reagimin e plotë të Isa Mustafës:

Qytetarë të nderuar

E përkrah plotësisht Ministren E Financave, Hykmete Bajrami në betejën e saj  kundër kriminelëve që vodhën mbi 2 milion euro nga Thesari i shtetit.

Shoh se dikush ka dëshirë dhe bën thirrje që ajo të japë dorëheqje. Por ata duhet ta kuptojnë se ministrja Bajrami nuk është aty për tu dorëzuar para hajdutëve duke krijuar boshllëk për  fshehjen e  gjurmëve të vjedhjes së parasë publike, por për tu ballafaquar me krimin dhe me hajdutët, ashtu siç po vepron me të drejtë ajo.

Krimi, korrupsionin dhe plaçkitja e parasë publike ka adresë. Ftoj të gjitha organet shtetërore të punojnë për zbardhjen e shpejtë të  këtij rasti, që të kthehen paratë e vjedhura nga Buxhetini Shtetit dhe kriminelët të përgjigjen para ligjit. IM