Isa Mustafa reagon pas deklaratës së ambasadorit amerikan rreth shuarjes së Task-Forcës, e lavdëron kryeministrin Hoti

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka reaguar pas deklaratave të ambasadorit amerikan, Philip Kosnett, i cili tha se shuarja e Task-Forcës kundër Korrupsionit nga Qeveria e Kosovës ishte një gabim.

Mustafa e ka lavdëruar bashkëpartiakun e tij, kryeministrin e vendit, Avdullah Hotin, duke thënë se po e dëshmon se ka guxim ta luftojë krimin dhe korrupsionin.

“Është i dijshëm dhe i pakorruptuar andaj edhe i pavarur dhe pashantazhueshëm në marrjen e vendimeve të forta. Thirrja në mekanizma kushtetues dhe ligjor për ta luftuar krimin, mund të mos i pëlqej dikuj, por jam i bindur se është e vetmja rrugë për një njeri të pastër, si Kryeministri Hoti”, ka shkruar Mustafa.

Në anën tjetër, ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett i ftuar në RTV Dukagjini ka folur në lidhje me shuarjen e Task Forcës Kundër Korrupsionit, nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Kosnett ka thënë se një vendim i tillë ka qenë i gabuar.

“Mendoj se kryeministri ka vendosur ta bëjë këtë gabimisht. Task Forca ka qenë organizatë shumë efektive. Por që Qeveria është dashur të bëjë një punë më të mirë, për të sqaruar qëllimin e saj. Nuk po them që Qeveria nuk ka të drejtë të bëjë ndryshime, por duhet t’i sqarojë më mirë vendimet e saj”, ka thënë Kosnett.

Kosnett për shuarjen e Task Forcës: Kryeministri ka vendosur gabimisht