Isa Mustafa: Qeveria ta rishqyrtojë vendimin për kufizim të qarkullimit

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka kërkuar nga Qeveria, pjesë e së cilës është edhe partia e tij, që ta rishqyrtojë vendimin për kufizim të qarkullimit të qytetarëve si masë për parandalimin e përhapjes së coronavirusit.

Sipas tij, një vendim i tillë i takon Kuvendit dhe jo Qeverisë.

“Vendimin për kufizimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, mund ta marrin vetëm dy të tretat e deputetëve dhe jo Qeveria. Ndryshe shkelet Kushtetuta, pa marrë parasysh kush janë ata që kanë votuar dhe në çfarë rrethana. Prandaj qeveria do duhej ta rishqyrtojë vendimin e saj dhe karshi gjendjes së krijuar ti drejtohet Kuvendit”, ka shkruar Mustafa.

Sonte, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për ndalimin e qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve  në dy kohë të ndryshme. Nga ora 10:00 e mëngjesit deri në ora 16:00 pasdite dhe prej orës 20:00 në mbrëmje deri në ora 06:00 në mëngjes.

Ndërsa përmes një konference për media presidenti ka thënë se Policia dhe organet e sigurisë nuk duhet ta zbatojnë vendimin e Qeverisë Kurti, sepse, sipas tij, është antikushetues.