Arkiv
Isa Mustafa publikoi letrën e dërguar nga Mogherini në vitin 2015 për Asociacionin e komunave
Kryetari i Lidhjes Demokratike, Isa Mustafa ka publikuar në Facebook letrën e dërguar nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së Frederica Mogherini në vitin 2015, për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Mustafa ka shkruar se këtë letër e ka pranuar më 24 gusht 2015, një ditë para nënshkrimit të Marrëveshjes mbi Parimet e Përgjithshme/Elementet Kryesore të Asociacionit nga Mogherini, atëkohë Nënkryetare e Komisionit Evropian dhe Ministre e Jashtme e BE-së.
Në letër shkruhet se Asociacioni nuk do të konstituohet si nivel i tretë i qeverisjes dhe nuk do ketë fuqi ekzekutive.
“Në kontekstin e diskutimit tonë për themelimin e Asociacioni/ Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe, dua të konfirmoj se është kuptim i BE-së, se Asociacioni/Bashkësia – në harmoni me Marrëveshjen e Parë dhe ligjet e Kosovës – nuk do të konstituohet si nivel i tretë i qeverisjes dhe nuk do ketë fuqi ekzekutive. BE, në ushtrimin e rolit të tij si fascilitator i dialogut Prishtinë-Beograd do të vazhdojë të monitorojë respektimin dhe implementimin nga të dy palët të Marrëveshjes së Parë dhe marrëveshjeve të tjera të arritura në dialog”, shkruhet në letrën e publikuar.
Mustafa ka thënë se në diskutimin që e ka pasur sot me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Europian për dialogun Kosovë – Serbi Miroslav Lajçak, ia ka prezantuar zotimin e BE-së që e ka marrë nga zonja Mogherini.
Ai ka thënë se arsyeja pse nuk e ka bërë këtë letër publike më parë ishte për shkak të akuzave të Vetëvendosjes për këtë marrëveshje.
“Dua të theksoj se këtë letër nuk e kam bërë publike në kohën kur akuzohesha nga VV dhe partitë e tjera të opozitës për këtë marrëveshje, sepse ato akuza i kam konsideruar të pabaza dhe vetëm si një kauzë politike kundër Qeverisë që e drejtoja”, ka shkruar Mustafa.