Arkiv

Isa Mustafa: Prishja e koalicionit me LVV-në ishte vendim i mirë

Isa Mustafa, pak minuta pasi ka dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit të LDK-së, ka thënë se vendimi për prishjen e koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje ka qenë vendim i mirë.

“Kam thënë edhe sot se vendimi për prishjen e koalicionit me Vetëvendosjen është vendim i mirë për të cilin unë jam i bindur, sepse ndërmjet partneritetit me SHBA-në dhe qëllimeve dhe orientimeve të VV-së kam zgjedhur partneritetin më SHBA-në”, tha Mustafa pasi doli nga kuvendi i LDK-së, ku ai ka zyrtarizuar dorëheqjen nga kreu i partisë.

“E kemi paguar pak këtë çmim por në mënyrë të vetëdijshme. Qytetarët e Kosovës shpejt do ta shohin këtë”, shtoi Mustafa.

Lidhja Demokratike e Kosovës është duke zhvilluar kuvendin për të zgjedhur kryetarin e ri të partisë.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në LDK vijnë pas disfatës së partisë në zgjedhjet e 14 shkurtit, në të cilat kjo parti ka dalë e treta, shumë larg LVV-së e cila ka dalë e para me 50.28 për qind të votave dhe PDK-së, e dyta, që ka fituar 17 për qind.