Isa Mustafa për ftesën e LVV-së: Pyeteni kryetarin e LDK-së të dielën

Kryetari në largim i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa ka thënë për KALLXO.com se në lidhje me ftesën për takim të Lëvizjes Vetëvendosje për të hënën, duhet të pyetet kryetari i ri i LDK-së.

“Të lutem, pyeteni kryetarin e LDK-së, të dielën, pasi të kryhet Kuvendi”, ka thënë shkurt Mustafa për KALLXO.com.

Këtë të diel më 14 mars, LDK-ja pritet të zgjedhë kryetarin e ri të saj. Kanidaturat për këtë pozitë tashmë i kanë bërë pulbike, Anton Quni, Lumir Abdixhiku, Lutfi Haziri dhe Besian Mustafa.

Pas rezultatit të zgjedhjeve të 14 shkurtit, nga të cilat LDK-ja u rendit e treta, Isa Mustafa paralajmëroi dorëheqjen nga pozita e kryetarit të partisë.

Në anën tjetër, kryetari i LVV-së Albin Kurti dhe kandidatja për presidente, Vjosa Osmani, kanë ftuar Partinë Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) që të diskutojnë më 15 mars për zhvillimet në vend dhe për krijimin e institucioneve.

PDK dhe AAK e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takim.

Kurse, paraprakisht, Gentiana Azemi, zyrtare për media në LDK, ka thënë për KALLXO.com se për këtë do të vendosin pas procesit zgjedhor për kryetar të partisë.

“Për këtë çështje LDK do të vendos pas Kuvendit të saj, dmth pasi që ta mbyllë procesin zgjedhor për kryetar të partisë”, thuhej në përgjigjen e saj.