Foto: KALLXO.com

Isa Mustafa: Nuk e di nëse Hoti do të shkojë në Washington

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka deklaruar se ai nuk e di nëse kryeministri Avdullah Hoti do të shkojë më 27 qershor në Washington në takimin që është paraparë të mbahet me palën serbe, me ndërmjetësim të Shtëpisë së Bardhë.

Sipas Mustafës, Hoti do të vlerësojë vetë nëse do të shkojë apo jo.

“Kryeministri do të vlerësojë vet nëse do të shkojë në Washington, këtë duhet ta bëjë në konsultim me partnerët e koalicionit. Nesër ka takim me përfaqësuesit e BE-së, për Washington nuk e di, sepse kemi rrethana krejt tjerar”, tha Mustafa para mediave.

Pas njoftimit të sotëm të Zyrës së Prokurorit të Specializuar për ngritjen e aktakuzës ndaj Hashim Thaçit, ky i fundit ka njoftuar se ka anuluar udhëtimin për Uashington.

Në anën tjetër, përfaqësuesit special i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell përmes një postimi në Twitter ka deklaruar se takimi do të mbahet në SHBA, ku Kosova pritet të përfaqësohet nga kryeministri Avdullah Hoti.

Ky i fundit është në Bruksel dhe ende nuk është deklaruar për zhvillimet e ditës së sotme.