Isa Mustafa: Nëse nuk gjejmë zgjidhje për Presidentin, jemi të përgatitur për zgjedhje

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka folur pas takimit me dy partnerët e tij të koalicionit, Ramush Haradinajn dhe Fatmir Limajn.

Sipas Mustafës, në këtë takim kanë folur për Ligjin për Buxhetin që pritet shumë shpejt të shkojë në Kuvend dhe jo për tema të tjera si ajo e zgjedhjes së Presidentit.

Ai ka shtuar se si LDK janë të gatshëm të shkojnë në zgjedhje në rast se nuk mund ta zgjedhin çështjen e Presidentit të vendit.

“Në këto takime nuk e kemi diskutuar çështjen e Presidentit. Unë vlerësoj që kjo çështje nuk është mirë të hapet tani, përderisa kemi Presidentin në zyrë, e me mandat të kushtetues. Nëse ballafaqohemi me ndonjë gjë kushtetuese, mendoj se ka vullnet të ulemi dhe të bëjmë përpjeke të gjejmë zgjidhje, nëse jo, atëherë të gjithë ne jemi të përgatitur të shkojmë në zgjedhje nëse nuk arrijmë të zgjedhim Presidentit”, tha Mustafa në konferencë për media.

Tutje, Mustafa tha se deri më tani asnjëherë, ish kryeministri Ramush Haradinaj nuk e ka shtruar si kusht pozitën e Presidentit për të, në mënyrë që të vazhdojë koalicionin.

“Në asnjë rast deri më tani, zotëri Haradinaj nuk na ka shtruar kusht çështjen e Presidentit me vazhdimin e koalicionit”, tha tutje ai.

Mandati 5 vjeçar i presidentit Hashim Thaçi përfundon në prill të vitit të ardhshëm.

Mirëpo, ajo mund të përfundojë më herët në rast se konfirmohet aktakuza nga ana e Gjykatës Speciale.

Nesër bëhen 6 muaj nga ngritja e propozim-aktakuzës ndaj Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit dhe Kryetarit të PDK-së, Kadri Veselit, që parasheh fundin e afatit kur aktakuza duhet të konfirmohet apo hedhet poshtë nga Gjykatësi i Procedurës Paraprake.

Nesër përfundon afati për konfirmimin e aktakuzës ndaj Thaçit e Veselit