Isa Mustafa në 22 vjetorin e vrasjes së Ahmet Krasniqit: Autorët e krimit duhet të dalin para drejtësisë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa ka përkujtuar kolonelin Ahmet Krasniqi, në 22 vjetorin e vrasjes së tij.

Mustafa ka deklaruar se autorët e krimit duhet të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar, duke shtyerë organet e drejtësisë të punojnë shumë deri në zbardhjen e rastit.

“Ahmet Krasniqi, Ministri i Parë i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, ishte një personalitet i veçantë, ai radhitet në plejadën e patriotëve që nuk kursyen as jetën për lirinë e vendit. Sot e kujtojmë intelektualin e pashoq, atdhetarin e shquar dhe Heroin Ahmet Krasniqi. Kolonel Krasniqi posedonte dijen, urtësinë politike dhe përgatitjen e nevojshme ushtarake, trinom i cili e formësonte karakterin e tij kompleks. Ai dha kontribut të jashtëzakonshëm në luftën çlirimtare dhe fillet e krijimit të formacioneve të para shtetërore”, citohet të ketë thënë Mustafa përmes një komunikatë për media.

“Aktiviteti i tij kombëtar siç duket iu pengoj qarqeve anti-shqiptare, duke e ekzekutuar në mënyrë misterioze në datën e 21 shtatorit të vitit 1998, nga njerëz që ishin kundër lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”, ka shtuar kryetari i LDK-së.

Tutje ai ka thënë se për partin që udhëheq, për familjarët, miqtë dhe të gjithë që e njohën “tash e sa vite por edhe për shtetin e Kosovës mbetet plagë e hapur vrasja e tij tinëzare”.