Isa Mustafa: Me Vjosa Osmanin nuk jemi takuar ende pas mocionit

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se ende nuk ka biseduar me Vjosa Osmanin pasi që ajo votoi kundër mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë, i inicuar nga LDK-ja.

Sipas tij, nuk ka rëndësi që 3 deputetë nga LDK nuk votuan “pro” rrëzimit të Qeverisë Kurti.

“Për mua thelbësore është që 24 deputetët kanë votuar “për”. Nuk është fare e rëndësishme që 3 deputetë kanë votuar kundër. Kjo është logjika ime, e shumicës se demokracia respekton shumicën”, tha Mustafa në Klan Kosova.

Ai u shpreh se LDK-ja do të mblidhet në mënyrë që në të ardhmën mos të “ndahen në vendimmarrje”.

“Jo, nuk e kam diskutuar. Nuk kemi pasur rast që të takohemi (me Vjosa Osmanin). Jam i sigurt që në organet e LDK-së, në Kryesi dhe do t’i diskutojmë do ta bëjmë një analizë të gjithë kësaj gjendje, të ballafaqimit me mocionin, edhe për shkaqet që e kanë sjellë atë dhe do të përpiqemi që tash dhe në të ardhmen të gjejmë rrugë më të mira që të mos ndahemi në vendimmarrje”, deklaroi Mustafa.

Më 25 mars, mocioni për rrëzimin e Qeverisë Kurti u votua me 82 vota për, 35 kundër, dhe 1 abstenim.

Kundër nga LDK-ja ishin Vjosa Osmani, Haxhi Avdyli dhe Ardian Shala.