Isa Mustafa në konferenë për media Foto: KALLXO.com

Isa Mustafa: LDK nuk është parti kujdestare që t’i bëjë të gjitha përpjekjet për qeveri

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka deklaruar se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk është parti kujdestare, e cila duhet t’i bëjë të gjitha përpjekjet që ta bëjë qeverinë.

Ai në RTK tha se Vetëvendosja është partia e parë, të cilës LDK-ja ia njeh kandidatin për kryeministër.

“Mirëpo ai që del i pari nuk domethënë që duhet të bëjë koalicion domosdoshmërisht me të dytin. LDK nuk është parti kujdestare, e cila duhet t’i bëjë të gjitha përpjekjet që ta bëjë qeverinë. Nuk heqim dorë, kemi punuar bashkë në opozitë. Duhet të bëjmë maksimumin të dy palët, që të gjendet zgjidhja”, ka thënë Mustafa.

Mustafa deklaroi se partia e tij dhe Vetëvendosje shihet që kanë dallim, por kjo nuk duhet t’i pengojë për bashkëpunim.

“Shihet që kemi dallime dhe e kemi ditur që kemi dallime. Mirëpo nuk duhet të na pengojnë që ta arrijmë një koalicion qeverisës, politikisht jemi të ndryshme, por duhet të merremi me punë konkrete. Do t’i bëjmë ato punë që nuk i shpërfaqin dallimet tona”, tha Mustafa.