Isa Mustafa

Isa Mustafa kujton veprimtarin e vrarë të LDK-së, e quan vrasje "me motive politike"

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka përkujtuar veprimtarin e kësaj partie dhe avokatin Shaban Manaj,  në 20 vjetorin e vrasjes së tij.

Mustafa përmes një postimi në facebook ka thënë se vrasja e Manaj ishte një vrasje tinëzare dhe me motive  politike.

“Sot, bëhen 20 vite nga vrasja tinëzare me motive politike, e veprimtarit dhe avokatit të shquar, Shaban Manaj. Manaj ishte personalitet i veçantë i udhëhequr nga idealet e Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova, atdhetar, intelektual i mirëfilltë dhe veprimtar, i përkushtuar për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut. Me plotë meritë u dekorua “Hero i Kosovës”, për kontributin e tij të dhënë për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë, në periudhat më të vështira”, ka theksuar ai.

Tutje kreu i LDK-së ka shtuar se kërkojnë zbardhjen e fatit  të veprimtarëve të partisë së tyre të vrarë para dhe pas luftës.

“Shumë nga këta veprimtarë u vranë nga dora tinëzare gjatë luftës dhe pas luftës, prandaj Lidhja Demokratike kërkon që institucionet përgjegjëse të drejtësisë të zbardhin vrasjet e tyre dhe që kryerësit dhe nxitësit e vrasjeve të përgjigjen para ligjit, për vrasjen e shumë personaliteteve të shquara pas çlirimit në rrethana ende misterioze për popullin e Kosovës”, ka thënë Mustafa.