Isa Mustafa komenton propozimin e Vjosa Osmanit për qeveri transitore

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, në konferencë për media, pas mbledhjes së Kryesisë së partisë, ka komentuar propozimin e Vjosa Osmanit për një qeveri transitore.

Mustafa tha se tash do të ketë qeveri të re me mandat të plotë dhe kryeministër do të jetë Avdullah Hoti.

“Në qoftë se subjektet politike në Kuvend dhe Lidhja Demokratike në vazhdimësi të punës së kësaj qeverie sheh ndonjë interes tjetër të vendit, ne mund të bisedojmë me partnerë të koalicionit edhe me subjektet tjera. Por që ne nuk e konsiderojmë qeveri të transicionit, por qeveri me mandat të plotë, e cila i merr detyrat në bazë të asaj që Kushtetuta e parasheh’, tha Mustafa para gazetarëve.

E nënkryetarja e kësaj partie, e cila është edhe kryetare e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se zgjidhja më e mirë në këtë moment do të ishte unifikimi i skenës politike rreth një figure apartiake në mënyrë që qeveria e re të mos varet nga votat e Listës Serbe.

Ajo, ka përsëritur edhe njëherë, se zgjedhjet e reja do të legjitimonin institucionet e reja.