Foto: LDK

Isa Mustafa komenton largimet e anëtarëve të LDK-së për t’iu bashkuar Vjosa Osmanit

Kryetari i LDK-së Isa Mustafa është deklaruar të martën rreth largimit të disa anëtarëve të partisë së tij, të cilët kanë zgjedhur për t`u bërë bashkë me iniciativën e ish-nënkryetares së kësaj partie Vjosa Osmani.

Mustafa tha se nuk e minimizon asnjë largim nga LDK-ja.

“Unë nuk e minimizojë ose nuk e shpalli kështu të pavlefshëm asnjë largim sepse çdo njeri që deri dje ka qenë me LDK-në, ka qenë me LDK-në dhe i ka kontribuar LDK-së. Në qoftë se ata njerëz mendojnë se më nuk kanë asgjë t’i japin LDK-së dhe dëshirojnë që të provojnë t’i japin subjekteve tjera është në të drejtën e tyre që të largohen dhe t’i bashkangjiten listës së zonjës Osmani”, tha ai.

Megjithkëtë, Mustafa shtoi se nuk ka parë se Osmanit i është bashkuar ndonjë personalitet i lartë I LDK-së.

“Unë në krahsim me atë që kam dëgjuar përpara nga deklarimet e zonjës Osmani se aty do të ketë njerëz profesionistë, njerëz që kanë çka t’i japin këtij vendi, do të thotë nga këto largimet shumë të pakëta të njerëzve nga disa degë tona që janë numër shumë i pakët, nuk kam parë personalitet që as mund t`i japin ndonjë vlerë të re Vjosës, as që mund t`i japin ndonjë vlerë të re Kosovës”, tha ai.

Kreu i LDK-së, shtoi se “njerëzit e tillë” nuk paraqesin asnjë humbje për LDK-në.

“Unë kisha dashur që ata të jenë të zotë, të jenë të aftë, të kenë përkrahje të gjerë por si të tillë nuk janë të çmuar dhe nuk janë vlerësuar brenda LDK, prandaj edhe si të tillë nuk paraqësin asnjë humbje për LDK-së edhe pse unë nuk parapëlqejë që asnjë njeri i LDK-së të largohet dhe të kalojë në ndonjë subjekt tjetër, por është zgjidhje e individit”, theksoi ai.

Ish-nënkryetarja e LDK-së dhe ish-kandidatja për kryeministre nga kjo parti, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar se në zgjedhjet e ardhshme do të garojë me një listë të re.

Në fillimin e vitit të ardhshëm pritet të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, pasi Gjykata Kushtetuese e shpalli të pavlefshme zgjedhjen e Qeverisë Hoti.

Isa Mustafa i uron Vjosa Osmanit suksese në zgjedhje