Foto: KALLXO.com

Isa Mustafa kërkon që PDK ta tërheqë Ligjin për vlerat e luftës së UÇK-së

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa është deklaruar në lidhje me hyrjen e xhandarmërisë serbe në Karaçevë të Kamenicës.

Mustafa në një intervistë për televizionin publik të Kosovës ka thënë se me këtë veprim Serbia ka bërë një provokim.

Ai gjithashtu ka folur rreth mos pajtimeve brenda koalicionit qeverisës rreth dialogut me Serbinë.

Mustafa ka deklaruar se nuk ka lëkundje në raportet LDK-AAK, por e ka quajtur të domosdoshme mbajtjen e një takimi për të diskutuar në lidhje me këtë çështje.

“Lëkundje nuk ka, por është e domosdoshme që të ulemi të bisedojmë për këto çështje. Pas shërimit të kryeministri Avdullah Hotit, do të takohemi me partnerët e koalicionit për të biseduar për të gjitha çështjet”, është shprehur ai.

Mustafa gjithashtu është shprehur se do të kërkojnë nga Partia Demokratike e Kosovës bashkëpunim sa i përket dialogut me Serbinë.

Teksa ka folur për projektligjin për vlerat e luftës së UÇK-së, i cili pritet të kalojë nesër në lexim të parë në Kuvend, Mustafa ka thënë se do të ishte më mirë që PDK-ja, si iniciuese, ta tërheqë projektligjin në fjalë, pasi sipas tij, ka vërejtjeje dhe paqartësi./21Media