Isa Mustafa i del në mbrojtje kryetares së KQZ-së

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë se është e padrejtë dhe e palejusheme të fajësohet kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, sipas tij, deri në kërcënim, pasi po e zbaton aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

Përmes një shkrimi në ‘Facebook’, Mustafa ka thënë se aktgjykimi i Kushtetueses për rastin e Etem Arifit në esencë është i çuditshëm, “sepse më shumë i përngjan në shkrim të ri të normave kushtetuese, se sa në interpretim të normave ekzistuese”.

Mustafa ka theksuar se aktgjykimi është derivat i lëndës së iniciuar nga LVV.

“As neve si LDK, s’na ka pëlqyar. Jo pse kufizon të drejtën e atyre që janë të dënuar për vepra penale të konkurrojnë për mandat ligjëvënësi, sepse nuk shkon edhe ligjëvënës edhe shkelës i ligjit, por për faktin se Gjykata e rrëzoi Parlamentin!? Pak si shumë në një demokraci Parlamentare”, ka shkruar Mustafa.

Sot përmes një konference për media, Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë se akuzat e partive politike në adresë të KQZ-së dhe në adresën e saj personale, janë ndërhyrje e drejtpërdrejtë në punën e institucionit, për ta pamundësuar zbatimin e Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi.

“Kërcënimet publike ndaj meje dhe shqetësimet që po i përjeton familja ime – janë të paprecedenta dhe të rrezikshme, të gjithë kandidatët që dje e kanë parë vetën në listën e Këshillit Gjyqësor të Kosovës si persona që nuk plotësojnë kriterin për t’u certifikuar si kandidat për deputetë, do t’iu them vetëm dy fjalë, shkurt, shqip dhe qartë: Është ligji dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese që ua pamundëson kandidimin dhe jo unë”, ka thënë Daka.

Daka: Kërcënimet ndaj meje janë të paprecedenta dhe të rrezikshme