Isa Mustafa flet për kandidatin e ardhshëm të LDK-së për kryeministër

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se ende nuk kanë diskutuar  për emrin e kandidatit të tyre për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme.

“Ne s’kemi përmend askënd sepse nuk jemi ulur akoma. Ne po presim këto ditë mbi bazën e asaj që deklaroi kryeministri Hoti dje që të mblidhet edhe njëherë Kuvendi, të aprovojë buxhetin dhe marrëveshjet ndërkombëtare të cilat domosdo duhet të miratohen nga buxheti i Republikës së Kosovës, të shpallen zgjedhjet, dhe pastaj në momentin kur shpallen zgjedhjet ne do të mbledhim organet tona”, tha ai në një adresim para gazetarëve në Prishtinë.

Ai shtoi se këtë temë do të diskutojmë “në mënyrë institucionale”.

“Do të diskutojmë në mënyrë institucionale e jo mbi bazën e përmendjeve, dëshirave personale, sepse megjithatë jemi parti institucionale dhe ne çdo gjë e çojmë në institucionet dhe organet tona”, theksoi Mustafa.

Kosova shumë shpejtë pritet të mbajë zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, pasi Gjykata Kushtetuese e shpalli të pavlefshme Qeverinë e Kosovës me kryeministër Avdullah Hotin e LDK-së.