Foto: Google Maps
Irlanda tronditet prej raportit për abuzimet seksuale në shkollat fetare
Kishte pothuajse 2.400 raste të dyshuara për abuzim seksual në më shumë se 300 shkolla të drejtuara prej rendeve fetare në Irlandë, thuhet në një raport të hartuar prej Qeverisë irlandeze, raporton BBC.
Ministrja irlandeze e Arsimit, Norma Foley, ka thënë se ishte hera e parë që janë përmbledhur dhe pasqyruar gjerësisht rastet e abuzimeve seksuale. Ajo e ka cilësuar si “përnjëmend tronditëse” përmbajtjen e raportit.
Në një konferencë për media, Foley ka theksuar se raportuar ka vënë në pah se kishte 884 abuzues të dyshuar në 42 rende, që më parë i kishin drejtuar ose vazhdojnë t’i drejtojnë shkollat fetare.
Mekanizmi që përfaqëson rendet fetare katolike ka shprehur “keqardhjen e thellë” për të dhënat që kanë dëshmuar se çfarë në të vërtetë kishte ndodhur nëpër shkolla.
Kabineti irlandez është pajtuar që të bëjë një hetim të plotë pas të dhënave të raportit hetimor, që është publikuar të martën (03.09.2024) mbrëma.
Burimi i parë i të dhënave të dyshimeve të abuzimeve seksuale ishin rendet fetare dhe vetë shkollat, thuhet në raport.
Ka pasur 2.395 raste të dyshimeve të abuzimeve seksuale të regjistruara në 308 shkolla, megjithëse raporti paralajmëron se numri i vërtetë mund të jetë më i lartë, duke pasur parasysh se abuzimi përgjithësisht nuk raportohet në të gjitha rastet.
Më shumë se gjysma e 884 personave të akuzuar për abuzim seksuale tani janë të vdekur.
Raporti me autore avokaten Mary O’Toole SC, ka treguar se kishte “numër veçanërisht të lartë të dyshimeve në shkollat speciale”.
590 raste ishin regjistruar në 17 shkolla speciale, përfshirë edhe 190 të dyshuar për abuzime seksuale.
140 të mbijetuar kanë dhënë intervista ose kanë dorëzuar dëshmi me shkrim për përmasat e abuzimeve për komisionin faktmbledhës.
Sipas raportit, abuzimi seksual shpesh është raportuar si i shoqëruar me dhunë të ashpër. Viktimat kanë thënë se abuzimet seksuale ishin kryer në klasa, konvikte, salla sportive dhe muzike, si dhe gjatë aktiviteteve tjera jashtëkurikulare.
Për shumë prej viktimave, “fëmijëria u ndal në vend në ditën e nisjes së abuzimit”. Dëshmitë lidheshin me vitet ndërmjet dekadave 1960 dhe 1990.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com