Foto: Pixabay

Irani shpërbën Policinë e Dokeve dhe të Zakoneve

E ashtuquajtura Polici e Dokeve dhe e Zakoneve kontrollonte kryesisht respektimin e kodit të veshjes për gratë. Presidenti Ebrahim Raisi zhvilloi një samit krize.

Sipas Prokurorit të Përgjithshëm të Iranit Policia e Dokeve dhe e Zakoneve, e cila ishte kryesisht përgjegjëse për zbatimin e kodeve të veshjes për gratë, është shpërbërë. “Policia e Dokeve dhe e Zakoneve është shpërbërë, por gjyqësori do të vazhdojë të merret me këtë sfidë shoqërore,” citoi e përditshmja Shargh Prokurorin e Përgjithshëm Mohammed Jafar Montaseri. Detaje të mëtejshme për rrethanat dhe zbatimin e vendimit për shpërbërjen e kësaj policie nuk u dhanë.

Presidenti iranian Raisi organizon një samit krize

Në të njëjtën kohë presidenti Ebrahim Raisi zhvilloi me disa ministra një takim krize. Agjencia Isna njofton se në agjendën e takimit jopublik të zhvilluar në ndërtesën e parlamentit në Teheran ishin zhvillimet e fundit në vend .

Detaje se për çfarë do të diskutohej saktësisht në samitin e krizës nuk pati. Në fillim pati spekulime se mund të bëhej fjalë për kërkesat e demonstruesve. Këto përfshijnë rishikimin e kushtetutës iraniane dhe heqjen e detyrimit për të mbajtur shaminë, por edhe zgjedhje të reja dhe një referendum për reformimin e sistemit politik të vendit.

Vëzhguesit, megjithatë, nuk kishin pritshmëri të mëdha nga takimi. Raisi thekson vazhdimisht se ndërsa Irani është tolerant ndaj kritikave, ai nuk është tolerant ndaj trazirave të kontrolluara nga jashtë të kryera nga mercenarët e tyre, siç i përshkruan ai protestat. Kleriku pohon gjithashtu se kushtetuta iraniane është ndër më të avancuarat në botë dhe se nuk ka asnjë arsye për ta ndryshuar atë.

Republika Islamike akuzon shërbimet sekrete të Izraelit dhe vendeve perëndimore se duan të provokojnë një luftë civile.

Arrestime dhe ekzekutime

Në Iran po zhvillohen prej javësh protesta, të shkaktuara nga vdekja e kurdes 22-vjeçare Jina Mahsa Amini. Ajo u arrestua nga skuadrat e Policisë së Dokeve dhe të Zakoneve në mes të shtatorit nën dyshimin se kishte shkelur kodin e rreptë të veshjes për gratë. Gjatë demonstratave janë arrestuar mijëra vetë. Po ashtu gjykatat kanë vendosur edhe të paktën gjashtë dënime me vdekje.

Sipas organizatave të të drejtave të njeriut, Irani është, pas Kinës, një nga vendet që ekzekuton më shumë të burgosur në botë. Nga Teherani njoftohet vazhdimisht për arrestime njerëzish të akuzuar për lidhje me agjencitë e huaja të shërbimeve sekrete, veçanërisht me shërbimin sekret të Izraelit, Mosad. Udhëheqësi shpirtëror Ayatollah Ali Khamenei akuzon gjithashtu armiqtë e përbetuar, SHBA-në dhe Izraelin, për nxitjen e lëvizjes protestuese në Iran./DW