Irani ‘gabimisht’ e rrëzoi aeroplanin ukrainas

Irani gabimisht goditi aeroplanin ukrainas që u rrëzua të mërkurën afër Teheranit me 176 persona në bord, raportojnë mediat amerikane.

Zyrtarët amerikanë thonë se ata besojnë se “Boeing 737-800” i “Ukrainian Airlines” u godit nga një raketë, raporton CBS.

Ukraina më herët tha se po shqyrtonte nëse një sulm raketash e rrëzoi aeroplanin, por Irani e përjashtoi këtë mundësi.

Aeroplani u rrëzua vetëm disa orë pasi Irani kreu sulme me raketa kundër dy bazave ajrore që strehonin forcat amerikane në Irak.

Rrëzohet aeroplani ukrainas në Iran, mbi 170 pasagjerë humbin jetën

CBS News duke cituar burime nga inteligjenca amerikane tha se një satelit zbuloi “shkreptima” infra të kuqe të dy lëshimeve të raketave, të ndjekura nga një tjetër shkreptimë e një shpërthimi, raporton BBC.

Ndërkohë, Newsweek citoi një zyrtar të Pentagonit dhe një zyrtar të lartë të inteligjencës amerikane, si dhe një zyrtar të inteligjencës irakiane, të cilët thanë se ata besonin se avioni ukrainas u godit nga një raketë “Tor” e prodhimit rus.

Presidenti amerikan Donald Trump të enjten tha se “kam dyshimet e mia” mbi aeroplanin. “Dikush mund të ketë bërë një gabim,” tha ai.