Foto: CNN/Sima news

Irani besohet se qëllimisht nuk ka dashur të shkaktojë viktima amerikane gjatë sulmit në Irak

Irani besohet se me qëllim ka shmangur viktimat ushtarake amerikane gjatë sulmeve hakmarrëse me raketa mbi bazat që strehojnë trupat amerikane në Irak, pas vrasjes nga ShBA-të të një gjenerali iranian.

Reuters shkruan se sipas disa burimeve, që kanë folur në kushte anonimiteti, besohet se iranianët kishin synuar që sulmet të mos përshkallëzonin situatën dhe të shmangnin viktimat amerikane.

Një burim në Uashington tha gjatë natës se indikacionet e hershme ishin se nuk pati viktima të ShBA-së pas sulmeve në bazën ajrore al-Asad dhe një strukturë tjetër në Erbil.

Irani besohej se ishte përpjekur të godiste disa pjesë të bazave për të minimizuar viktimat dhe veçanërisht për të shmangur viktimat e ShBA, thanë tre burime. Ky vlerësim përfshinte disa zbulime nga brenda Iranit që konfirmonin natyrën e planit të sulmit, thanë ata.

Ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif, tha që Teherani mori “masa proporcionale” në vetëmbrojtje dhe nuk kërkoi luftë me Shtetet e Bashkuara.

Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, i cili urdhëroi sulmin me dron që vrau gjeneralin Qasem Soleimani në Bagdad të premten, dha një përgjigje fillestare për sulmet raketore iraniane, duke thënë në Twitter: “Të gjitha janë mirë!”