Irani arreston ambasadorin britanik

Autoritetet iraniane e kanë arrestuar për pak kohë ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Teheran dje, më 11 janar, ka njoftuar ministri britanik i Punëve të Jashtme, Dominic Raab.

“Arrestimi i ambasadorit tonë në Teheran pa bazë ose shpjegim është një shkelje flagrante e ligjeve ndërkombëtare”, ka deklaruar Dominic Raab, raporton Le Figaro.

Sipas Daily Mail, ambasadori është arrestuar nën pretendimin se “ka nxitur” protestuesit në Teheran, të cilët shprehnin zemërimin ndaj autoriteteve pas rrëzimit të aeroplanit ukrainas, aksident në të cilin shumica e viktimave ishin iranianë.

Sipas të njëjtit burim, ambasadori është liruar pas rreth një ore.

Presidenti iranian Hassan Rohani e ka pranuar të shtunën, pas tre ditë mohimi, se aeroplani ukrainas është rrëzuar gabimisht nga një raketë e mbrojtjes kundërajrore iraniane.

Policia iraniane ka shpërndarë të shtunën studentët, të cilët ishin mbledhur në Teheran në kujtim të viktimave të aeroplanit të rrëzuar, raporton Le Figaro.