Foto: Pixabay

Iran, protestuesit thirrje për grevë treditore

Protestuesit në Iran bënë thirrje të dielën për një grevë tre-ditore këtë javë, duke rritur presionin ndaj autoriteteve, ndërkohë që prokurori publik Mohammad Jafar Montazeri tha se policia e moralit është mbyllur.

Ndalimi nga kjo polici i 22-vjeçares kurde Mahsa Amini e cila vdiq në paraburgim, ka shkaktuar protesta për muaj me radhë.

Ministria e Brendshme e cila është përgjegjëse për policinë e moralit, nuk ka konfirmuar mbylljen e policisë së moralit, ndërsa media shtetërore iraniane tha se prokurori publik Montazeri nuk është përgjegjës për mbikëqyrjen e asaj force.

Zyrtarët e lartë iranianë kanë thënë në mënyrë të përsëritur se Teherani nuk do të ndryshojë politikën për mbajtjen e detyruar të hixhabit, sipas së cilës gratë duhet të vishen në mënyrë modeste dhe të mbajnë shami, megjithë protestat kundër rregulloreve të rrepta islamike.

Qindra njerëz janë vrarë në trazirat që shpërthyen në shtator pas vdekjes në paraburgim të Mahsa Aminit, e cila u arrestua nga policia e moralit për shkelje të rregullave të hixhabit.

Protestuesit kanë bërë thirrje për një grevë tre-ditore dhe një tubim në sheshin Azadi (Liria) të Teheranit të mërkurën, sipas postimeve në Twitter nga llogari që nuk kanë mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur.

Presidenti Ebrahim Raisi do t’u drejtohet studentëve në Teheran po atë ditë për të shënuar Ditën e Studentëve në Iran.

Thirrje të ngjashme për grevë dhe mobilizim masiv në javët e kaluara kanë rezultuar në një përshkallëzim të trazirave që kanë përfshirë vendin, ndër protestat më të mëdha antiqeveritare që nga Revolucioni Islamik i Iranit i vitit 1979.

Agjencia e lajmeve për të drejtat e njeriut HRANA tha se 470 protestues ishin vrarë deri të shtunën, përfshirë 64 të mitur dhe se 18,210 demonstrues janë arrestuar, ndërsa 61 anëtarë të forcave të sigurisë janë vrarë.

Këshilli i Sigurisë Shtetërore i Ministrisë së Brendshme të Iranit tha të shtunën se numri i të vdekurve ishte 200.

Banorët që postojnë në mediat sociale dhe gazeta si e përditshmja Shargh thonë se javët e fundit janë vënë re më pak forca të policisë së moralit nëpër rrugë, pasi autoritetet me sa duket po përpiqen të shmangin provokimin e protestave të mëtejshme.

Televizioni shtetëror Al Alam tha se mediat e huaja po i përshkruanin komentet e prokurorit Montazeri si “një tërheqje nga ana e Republikës Islamike nga qëndrimi për hixhabin dhe moralin fetar si rezultat i protestave”, por se e vetmja gjë që mund të kuptohet nga komentet e tij është se policia e moralit nuk është e lidhur drejtpërdrejt me gjyqësorin./VOA