Eproret e policise ne takimin me Aleksandar Vuciq, Foto: KALLXO.com

IPK thotë se do të intervistohen eprorët policorë që kanë marrë pjesë në takim me Vuçiqin

Më 22 mars të këtij viti pesë eprorë të Policisë së Kosovës në veri të vendit, janë parë në takimin e thirrur nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Sigurisë.

Lidhur me pjesëmarrjen e tyre në këtë takim Inspektorati Policor i Kosovës ka thënë për KALLXO.com se kanë marrë disa veprime hetimore dhe pritet që të marrin disa të tjera siç është edhe intervistimi i zyrtarëve në fjalë.

IPK ka treguar se veprimet që do të merren do të jenë në koordinim të plotë me prokurorinë.

“Në kuadër të autorizimeve ligjore hetuesit e IPK-së deri tani kanë ndërmarrë disa veprime hetimore si dhe kanë kontaktuar edhe me prokurorin kompetent , përderisa pritet që të ndërmarrin edhe veprime hetimore të tjera për të sqaruar të gjitha  rrethanat në koordinim të plotë me prokurorinë kompetente duke përfshirë edhe intervistimin e zyrtarëve në fjalë”, thuhet në përgjigjen e IPK-së për KALLXO.com.

Tutje është thënë se në këtë fazë të hetimit nuk mund të jepen më shumë detaje lidhur me rastin.

“Duke pasur parasysh integritetin e procesit hetimor në këtë fazë të hetimit nuk mund të shpalosen më shumë detaje”, ka thënë IPK.

Për këtë çështje, Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti në raportimin e tij para Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtës ka thënë se pesë eprorët nuk janë suspenduar pasi kanë vlerësuare se ata fillimisht duhet të hetohen nga IPK.

“Për eprorët e policisë në veri që kanë marr pjesë në takim me Vuçiqin, ne e kemi vlerësu se ata duhet të hetohen pastaj të marrim masa. Ne e kemi vlerësu që me i qu në IPK fillimisht”, ishte shprehur Mehmeti.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Prokurorinë në Mitrovicë lidhur me këtë rast dhe është në pritje të përgjigjeve.

Në të njëjtin takim me Vuçiqin, kishte marrë pjesë edhe i kërkuari tashmë për rastin “Brezovica” Milan Radojiçiq. 

Eprorët e Policisë së Kosovës rreshtohen para Milan Radojiçiqit dhe Aleksandar Vuçiqit – FOTO