IPK shënoi 14 vjetorin e themelimit

Inspektorati Policor i Kosovës ka shënuar gjatë ditës së sotme 14 vjetorin e themelimit.

Për 14 vjetorin e themelimit të IPK-së, në një ceremoni të mbajtur sot morën pjesë një numër i kufizuar, kryesisht punonjës të IPK-së, për shkak të pandemisë.

Në këtë ceremoni u ndanë mirënjohje dhe medalje për zyrtarë të IPK-së dhe bashkëpunëtorë vendor e ndërkombëtarë.

Ushtruesi i detyrës  së kryeshefit ekzekutik të IPK-së, Exhevit Zuka, duke falënderuar të gjithë të pranishmit theksoi se rrugëtimi i IPK-së ndër vite ishte përplot sfida e suksese.

“Në përvjetorin e 14 të themelimit të IPK-së  kujtojmë rezultatet dhe sfidat duke llogaritur edhe kontributin e secilit zyrtarë të IPK-së.  Jemi të vetëdijshëm që IPK nuk e ka misionin e lehtë  por ne do të vazhdojmë angazhimet tona drejt fuqizimit të integritetit policorë”, ka thënë Zuka.

Ai tutje ka shtuar se rrugëtimi i IPK-së deri në këtë fazë të sotshme u mundësua edhe nga përkrahja e institucioneve vendore e ndërkombëtare siç është ICITAP-i amerikan dhe misioni i OSBE-së.

“Në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë si ICITAP, OSBE-ja, dhe me përkrahjen e institucioneve vendore jemi angazhuar drejt zhvillimit profesional dhe ndërtimit të kapaciteteve të IPK-së. Falë këtij angazhimit dhe përkrahjeje që ne kemi pasur si institucion, dhe, falë dedikimit e përkushtimit  të punonjësve të IPK-së kemi krijuar reputacionin dhe  besueshmërinë që IPK-ja gëzon sot te qytetarët e Kosovës. Ne do të punojmë shumë që këtë besueshmëri të qytetarëve të vendit ta ruajmë dhe ta fuqizojmë akoma më shumë”, tha Zuka.

Sipas tij fuqizimi i bashkëpunimit në mes IPK-së dhe qytetarëve do të ndihmojë Policinë në përmirësimin e shërbimeve të sigurisë që ofrojnë për publikun.

Në shenjë mirënjohjeje për përkrahjen e dhënë në ngritjen e nivelit të profesionalizmit të IPK-së, në këtë ceremoni u ndanë mirënjohje për zyrtarë të ICITAP-it dhe OSBE-së.

IPK u themelua në vitin 2006 si një mekanizëm i pavarur i mbikëqyrjes së Policisë me dy funksione kryesore: hetimin e të gjitha ankesave për sjellje të policëve, pa dallim grade apo pozite dhe inspektimi i mënyrës së kryerjes së detyrave nga ana e Policisë në një varg të definuar të funksioneve menaxhuese, në lidhje me saktësinë, efektshmërinë dhe zbatueshmërinë e ligjeve në fuqi.