IPK rekomandon suspendimin e tre policëve të NJRSh-së në Prishtinë
Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e tre zyrtarëve policor të Njësisë së Reagimit të Shpejtë në Prishtinë.
Sipas IPK-së të njëjtët dyshohet se kanë kryer veprën penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.
Siç është thënë në njoftimin e IPK-së rasti ka ndodhur mëngjesin e sotëm, kur hetuesit janë informuar nga Policia e Kosovës sot në 08:00h lidhur me një rast ku dyshohet se zyrtarët policorë kanë arrestuar dhe shoqëruar një punonjës të sigurimit për Misionin e EULEX-it pas një incidenti lidhur me parkimin e një veture private, të cilën ishte duke drejtuar një zyrtar policor para hyrjes së parkingut të Misionit EULEX afër stadiumit të futbollit “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Inspektorati tha se punonjësi vendor i sigurimit të Misionit të EULEX ishte në detyrë të sigurimit të auto-parkingut të veturave të EULEX-it në kohën kur ka ndodhur incidenti.
“Me të pranuar informacionin hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë disa veprime fillestare hetimore në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin kompetent i cili po ashtu ka dalë në vendin e ngjarjes” – thuhet tutje.
Po ashtu u theksua se hetuesit e IPK-së në koordinim me Prokurorinë e Shtetit do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen më këtë rast.