IPK rekomandon suspendimin e tre policëve, dyshohet se jashtë detyrës zyrtare ndaluan një person për "telashe personale"

Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin nga detyra të tre zyrtarëve policorë nën dyshimin se kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit dhe keqtrajtimit, gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.

Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se ngjarja ka ndodhur në Mitrovicën e Jugut, ndërsa zyrtarët policorë kishin bërë një ndalim të një automjeti, derisa ishin me uniformë zyrtare, por jashtë detyrës.

Sipas IPK-së dyshohet se njëri nga tre policët kishte probleme personale me qytetarin e arrestuar.

Ngjarja ishte regjistruar në fillim të muajit mars, ndërsa rekomandimi erdhi pasi IPK – siç mëson KALLXO.com kishte konfirmuar ngjarjen.

“Ngjarja u regjistrua pas mesnatës së 2 marsit 2025. Informacionet e para për këtë rast i kishte pranuar Inspektorati Policor nga Policia e Kosovës. Dyshimet janë se zyrtarët e dyshuar (jashtë detyrës zyrtare, por me uniformë) me veturë private kishin ndaluar një automjet me arsyetimin për një kundërvajtje afër sheshit ‘Isa Boletini’ në Mitrovicë – duke arrestuar dhe pas kësaj kishin njoftuar një njësi policore në detyrë dhe kishin shoqëruar në Stacion Policor njërin nga pasagjerët e veturës së ndaluar.” – thuhet në njoftimin e IPK-së.

Veprimet hetimore janë duke u ndërmarrë në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, përderisa rasti trajtohet në procedurë të rregullt.