
IPK rekomandon suspendimin e tre policëve, dyshohen se nuk i kryen detyrat në një rast të rrahjes në mes të disa personave në Podujevë
Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e tre policëve, nën dyshimin se të njëjtit keqpërdorën detyrën zyrtare dhe nuk trajtuan në bazë të procedurave policore një rast të një përleshjeje në Podujevë.
Sipas IPK-së një incident i përleshjes në mes të palëve të dyshuara raportohet të ketë ndodhur më 16 janar 2025 në Podujevë, ku disa persona ishin përleshur fizikisht.
Tutje thuhet se policët kanë kaluar në ato momente në atë segment të rrugës me veturë private, por në uniformë zyrtare dhe kanë kontaktuar me palët e përfshira në këtë rast.
Sipas IPK-së, bazuar në veprimet fillestare hetimore dyshohet se këta policë nuk kanë arrestuar ndonjë nga të dyshuarit dhe nuk kanë marrë ndonjë shënim apo veprim tjetër, kështu që palët e dyshuara janë larguar nga vendi i ngjarjes.
“Dyshimet e hetuesve të IPK-së janë se kjo kishte ndodhur, pasi që njëri nga zyrtarët policorë kishte lidhje familjare me njërin nga të dyshuarit.” – thuhet në njoftimin e IPK-së.
Në kuadër te hetimit dhe veprimeve të tjera të natyrës administrative, IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës masën e suspendimit të tre policëve.
Sipas njoftimit, hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës kanë pranuar informacione nga Policia e Kosovës për një rast ku dyshohej se ishin përshirë tre policë të Stacionit Policor të Podujevës.
“Hetuesit e IPK menjëherë i janë përgjigjur rastit dhe kanë ndërmarre veprime paraprake hetimore në konsultim me Prokurorinë e Shtetit. Pas ndërmarrjes dhe veprimeve paraprake dyshohet se tre zyrtarët policorë janë të dyshuar për veprën penale: “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, lidhur me reagimin e tyre në një rast të përleshjes.” – thuhet në njoftim.