IPK rekomandon suspendimin e pesë zyrtarëve policorë

Inspektorati Policor i Kosovës të Departamentit të Hetimeve, kanë rekomanduar suspendimin e pesë  zyrtarëve policorë, një rreshteri dhe katër zyrtarëve tjerë – që të gjithë punonjës në Njësinë Speciale Operative.

Në komunikatën për media thuhet se pesë personat e rekomanduar për suspendim, dyshihet se kanë tejkaluar autorizimet policore gjatë një intervenimi në një lokal në Prizren.

IPK përmes komunikatës ka njoftuar se rasti ka qenë duke u hetuar nga ta.

“Hetuesit kanë pranuar ankesë bazuar në të cilën pretendohet se ka pasur tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës kurse për rastin e njëjtë sot në media është publikuar një audio- incizim”, thuhet në njoftim.

Në komunikatë thuhet se hetuesit e IPK-së në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.