IPK rekomandon suspendimin e një polici në Kaçanik, dyshohet për zbulim të paautorizuar të informacionit konfidencial

Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e një zyrtari policor në Kaçanik, i cili po dyshohet për kryerje të veprës penale – zbulim i paautorizuar i informacionit konfidencial.

IPK njoftoi se ky rekomandim është bërë në përputhje me parimet ligjore dhe transparencës, duke marrë parasysh rëndësinë e ruajtjes së standardeve më të larta etike dhe profesionale në Policinë e Kosovës.

“Informacionet e para lidhur me këtë rast hetuesit e IPK-së i kishin pranuar bazuar në denoncimin e një qytetari” – theksoi IPK.

Në komunikatë u tha se bazuar në veprimet hetimore të ndërmarra deri tani nga hetuesit e IPK-së, dyshohet se zyrtari policor ka ndarë informacione të natyrës konfidenciale pa autorizimin përkatës, duke ndërhyrë në sistemin e policisë, bazën e të dhënave, dhe duke përdorur kanale private të komunikimit për të përçuar informacione që bien ndesh me rregullat e privatësisë dhe sigurisë së informacionit të Policisë.

Sipas IPK-së, kjo sjellje përbën një shkelje serioze të detyrave zyrtare dhe cenon integritetin dhe besimin në institucionin policor.

Tutje u tha se hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave të këtij rasti.