IPK rekomandon suspendimin e dy policëve që ishin prezent kur u rrah gazetari

Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se ka rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve policor në lidhje me sulmin ndaj gazetarit të portalit “IndeksOnline”, Ensar Ramadani.

Gazetari nga portali “IndeksOnline”, Ensar Ramadani, mbrëmë ka raportuar në polici se është sulmuar nga ana e ministrit në detyrë të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala.

IPK ka njoftuar se pas raportimit të gazetarit, janë ndërmarrë veprimet hetimore ndaj dy zyrtarëve policorë që kanë qenë prezent kur ka ndodhur incidenti.

“Hetimet e IPK-së janë duke u zhvilluar me dyshimin se zyrtarët policorë nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare dhe për këtë dyshohet se është kryer vepra penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, thuhet në njoftim.

Në konsultim me prokurorinë kompetente rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt, kurse IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës  suspendimin me pagesë për zyrtarët policorë në këtë rast.

KALLXO.com raportoi për pretendimet e gazetarit Ramadani i cili kishte thënë se ishte sulmuar nga ministri deri sa po ndiqte nga afër gjendjen e një të plagosuri i cili ishte transferuar në QKUK.

Besim Kelmendi, koordinator nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit për trajtimin e rasteve të kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve ka deklaruar për KALLXO.com se është hapur rasti rreth këtij sulmi.

“Tani u njoftova se është hapur rasti në Prokurorinë Themelore në Prishtinë në lidhje me rastin”, tha Kelmendi për KALLXO.com.

Ai shtoi se ende nuk ka marrë informacion nëse është intervistuar apo jo Ministri në detyrë, Endrit Shala për sulmin ndaj gazetarit Ensar Ramdani.

KALLXO.com gjatë ditës do të u sjell edhe rrëfimin e gazetarit për sulmin ndaj tij.

Gazetari pretendon se u rrah nga ministri Endrit Shala

Në lidhje me sulmin ndaj gazetarit Ramadani ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

AGK dënon sulmin ndaj gazetarit Ensar Ramadani

.