IPK rekomandon suspendimin e dy policëve për plagosjen në “Duplex”

Mesnatën e 9 nëntorit, në afërsi të lokalit të natës “Duplex”, në Prishtinë pas një përleshje ka pasur të shtëna me armë zjarri, ku kishte edhe persona të plagosur.

Në lidhje me këtë rast, Inspektorati Policor i Kosovës ka thënë për KALLXO.com se është rekomanduar suspendimi i dy zyrtarëve policor.

“Ju informojmë se rasti në fjalë është duke u trajtuar në Inspektoratin Policor të Kosovës përkatësisht në Departamentin e Hetimeve. Ky rast, bazuar edhe në  ligjin të IPK-së është iniciuar sipas detyrës zyrtare dhe më datën 18 nëntor 2019 nga IPK është rekomanduar suspendimi i dy zyrtarëve policor të Njësive të Specializuara”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.

Tutje, IPK ka thënë për KALLXO.com se në koordinim me prokurorinë kompetente lënda është duke u hetuar në procedurë të rregullt me dyshimin se është kryer vepra penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për plagosjen me armë në afërsi të lokalit “Duplex”, në Prishitnë.

Njëri nga gjashtë personat e dyshuar për plagosjen e cila ndodhi mbrëmjen e së shtunës në afërsi të lokalit “Duplex”, në Prishtinë, është arrestuar me 12 nëntor nga policia.

“Lidhur me rastin, dje njësia policore ka identifikuar dhe ka arrestuar një të dyshuar. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhej në njoftimin e policisë.

Sipas policisë, në këtë rast, katër persona janë plagosur nga arma e zjarri dhe të njëjtit janë dërguar për tretman mjekësor.

Në vendin e ngjarjes, ishin sekuestruar tri armë zjarri, të cilat dyshohet  të jenë përdorur në këtë  rast.

Në të dhënat e deri tanishme të policisë, në këtë rast, janë gjashtë persona të dyshuar të cilët janë identifikuar nga ana e policisë.

Më 12 nëntor është arrestuar njëri prej tyre, ndërsa pesë të tjerë ndodhen ende në arrati dhe janë në kërkim nga ana e policisë.

Njëri nga të dyshuarit në këtë rast, është edhe Astrit Mehmeti, i njohur si “Llepota”.

KALLXO.com ka publikuar pamje nga plagosja e cila ndodhi mbrëmjen e së shtunës.

Në pamje shihet personi me setër ngjyrë krem tek afrohet te sigurimi ndërsa pas një diskutimi nxjerr revolen dhe qëllon në drejtim të pjesëtarëve të sigurimit.

Njëri nga ta nuk largohet dhe këtu fillon përleshja edhe me grushte.

Pamje nga kamerat e sigurisë, plagosjet në ‘Duplex’