Inspektorati Policor i Kosovës - Foto: KALLXO.com

IPK publikon raportin 'Performanca policore në realizimin e urdhëresave të gjykatave'

Inspektorati Policor i Kosovës ka publikuar raportin e inspektimit “Performanca policore në realizimin e urdhëresave të gjykatave”, në kuadër të cilit janë identifikuar disa Drejtori Rajonale Policore të cilat kanë përformuar jo kënaqshëm në raport më drejtoritë tjera.

IPK ka njoftuar se Inspektimi është përqendruar në të gjitha zyrat e administrimit të urdhëresave të gjykatave në kuadër të stacioneve policore.

“Inicimi i këtij inspektimi është ndikuar edhe nga nevoja që Policia të sigurohet se ka ndërmarrë veprimet e duhura në ndjekjen dhe kapjen e të dyshuarve dhe të dënuarve për vepra kriminale”, thuhet në njoftim.

IPK në kuadër të raportit ka dhënë shtatë rekomandime për Policinë e Kosovës.

Organizimin e trajnimeve për personel në këtë fushë, nxjerrjen e udhëzuesit për administrimin e urdhëresave, rishikimin e procedurave standarde të operimit, rekomandimi për ngritjen e efektivitetit dhe performancës në realizimin e urdhëresave të gjykatave, përditësimin me kohë të urdhëresave në bazën e të dhënave në polici, janë disa nga rekomandimet.

IPK ka njoftuar se inspektim i jashtëzakonshëm për të vlerësuar performancën policore në realizimin e urdhëresave të gjykatave është inicuar në muajin nëntor me kërkesë të Kryeshefit Ekzekutiv të IPK-së, Kushtrim Hodaj.

“Inspektimi ofron një mundësi për të vlerësuar angazhimet në përmbushjen e obligimeve që dalin nga ligjet në fuqi dhe Plani Strategjik Zhvillimor lidhur me parandalimin dhe luftimin e kriminalitetit brenda shoqërisë”, ka njoftuar IPK.

Raportin e plotë me rezultatin e inspektimit mund ta gjeni KËTU.