Foto: KALLXO.com
IPK: Polici i dyshuar për vrasjen në Bibaj është vetëdorëzuar
Inspektorati Policor i Kosovës ka bërë të ditur se polici i dyshuar për vrasjen në Bibaj të Ferizajt është vetëdorëzuar në stacionin e Policisë në Ferizaj bashkë me armën që dyshohet se është përdorur në këtë rast.
Sipas IPK-së, vrasja raportohet të ketë ndodhur sot rreth orës 19:30 në fshatin Bibaj të Ferizajt në një restorant, ku ishte duke u mbajtur një ceremoni dasme.
Po sipas IPK-së, bazuar në informacionet fillestare dyshohet se zyrtari policor i dyshuar në këtë rast kishte shkuar në këtë lokacion dhe ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës, i cili si pasojë e lëndimeve të pësuara ka ndërruar jetë.
“I dyshuari në këtë rast (zyrtari policor) pas kryerjes së veprës penale është vetdorëzuar në Stacionin Policor të Ferizajt ku edhe ka dorëzuar armën zyrtare e cila dyshohet se është përdorur në këtë rast”- thuhet në njoftimin e IPK-së.
Sipas IPK-së, i dyshuari është arrestuar (dhe suspenduar) dhe me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë për shkak të dyshimit të veprës penale “Vrasja e rëndë” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
IPK thotë se organet kompetente po punojnë për ndriçimin e rrethanave të këtij incidenti të rëndë.