IPK po trajton ankesën ndaj policit të Njësisë Speciale, dyshohet se u përfshi në një incident gjatë ndeshjes Trepça - Peja

Të mërkurën më 3 maj, Trepça fitoi ndeshjen e parë finale ndaj Pejës në “Minatori” me rezultat 94:86.

Por, ani se ishin angazhuar forca të shumta të sigurisë për të mbajtur rendin gjatë ndeshjes, një incident kishte ndodhur derisa lojtarët dhe stafi tjetër përcjellës i Pejës ishin duke u futur në zhveshtore.

Siç mëson KALLXO.com, një polic i Njësisë Speciale të forcave të rendit dyshohet se kishte shtyrë dhe keqtrajtuar Art Gashin, anëtar i Bordit të KB Peja.

IPK ka konfirmuar për KALLXO.com se ka pranuar ankesën ndaj zyrtarit policor dhe se po e trajton atë.

Në një prononcim për KALLXO.com, Art Gashi tha se ditën kur është luajtur ndeshja gjithçka ishte mirë, derisa ndodhi rasti. Gashi pet që ndaj policit të merren masa.

“Nuk ka qenë vetëm shtyrje, ka qenë kapje për qafe, kërcënim, shtyrje, krejt dhe atë natë e kam raportu menjëherë rastin në IPK” – tha ai.

“Ata (policët) kanë pasur probleme me kapitenin e ekipit tonë dhe skuadrën tonë, nisi presioni tu e shty ekipin tonë për me shku ne zhveshtore, unë i kam thënë që ti je polic nuk mundësh me prek ekipin…ka qenë shtyrje me arrogancë të madhe, unë kam reagu dhe ai nuk ka lënë as me sqaru” – ka thënë Art Gashi, anëtarë i Bordit të KB Peja për KALLXO.com.

Inspektorati Policor i Kosovës ka konfirmuar se rastin do ta trajtojnë konform autorizimeve ligjore.

“Ankesa fillestare është bërë në Stacionin Policor në Pejë (kurse rasti pretendohet se ka ndodhur në Mitrovicë dy javë më herët), kurse veprimet tjera do të ndërmerren konform autorizimeve ligjore të IPK-së” – thuhet në përgjigje.

Trepça dhe Peja sonte përballën në ndeshjen e pesë finale prej orës 20:00 në “Minatori”.

Sot, fituesi i kësaj loje shpallet kampion i Kosovës në basketboll.