Foto: KALLXO.com

IPK po heton rastin e qytetarit i cili po pretendon se është keqtrajtuar nga Policia

Inspektorati Policor i Kosovës është duke hetuar rastin e qytetarit nga Gjilani, G.O. i cili po pretendon se është arrestuar brutalisht dhe keqtrajtuar nga disa zyrtarë të Policisë së Kosovës.

Kështu ka thënë IPK në një përgjigje zyrtare për KALLXO.com.

Në këtë përgjigje është thënë se hetuesit e IPK-së pritet që të ndërmarrin veprime hetimore për të sqaruar rrethanat e rastit.

“Ju njoftojmë se IPK ka pranuar një ankesë për këtë rast ku qytetari cek edhe pretendimet e tij për tejkalim të autorizimeve policore gjatë reagimit policor. Hetuesit e IPK-së pritet që të ndërmarrin veprime hetimore për të sqaruar rrethanat në koordinim të plotë me prokurorinë kompetente dhe autorizimet ligjore”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.

Tutje është thënë se rasti aktualisht është në fazën e hetimit preliminar.

KALLXO.com ka raportuar gjatë ditës së djeshme lidhur me rastin.

G.O., në një prononcim për KALLXO.com kishte thënë se, sipas tij, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 4 prillit të këtij viti, rreth orës 23:00 në Gjilan.

Ai ka shpjeguar se si ka ndodhur rasti dhe si, sipas tij, një polic që ka qenë jashtë detyrës ia ka drejtuar armën.

KALLXO.com, po ashtu, ka siguruar video ku shihet se si disa policë kanë shtrirë përtokë dhe e kanë rrethuar atë për ta arrestuar.

G.O. po pretendon se është sulmuar edhe fizikisht nga ana e zyrtarëve policorë.

“Më kanë kapë Policia, me një fjalë m’i kanë fy të drejtat e njeriut, ma kanë prishë imazhin, në momentin e parë që m’i kanë kapë duart më kanë mëshu në këmbë dhe më kanë qitë përtokë, m’i kanë vra gjunjtë. Kur shtrihem në tokë shihet në video se më ka mëshu shkelm dikush në kry. Këto sene i kam me fakte”, ka thënë ai për KALLXO.com.

Ai tutje ka treguar se ngjarja ka ndodhur gjatë kohës kur ka qenë duke shkuar në një furrë të bukës rreth orës 23:00 dhe se ka hyrë në një rrugë që është njëkahëshe, por se nuk e ka parë se rruga është e tillë.

“Unë jam kanë në furrë, jam shku në furrë të bukës në ora 23:00 për me ble bukë për syfyr. Kam hi në rrugën, në një rrugë që është njëkahëshe, por unë nuk e kam pa, se rruga ndërrohet çdo herë në sezon”, ka thënë ai.

Tutje ka shtuar se në momentin kur ka qenë duke u larguar nga kjo rrugë, që sipas tij ka hyrë vetëm pesë metra brenda, ka dëgjuar borinë e një makine të cilën G.O. po pretendon se ka qenë duke e vozitur një polic i cili ka qenë jashtë detyrës.

“Jam futë në rrugë vetëm pesë metra, pasi jam futë në këtë rrugë duke dalë përmas më ka ardhë një bori e një makine dhe jam ndalë. Kam shiku se çka ka ndodhë se mendova mos kam bo aksident me ndonjë makinë. E kam pa që është ndalë një veturë ‘Skoda’ me xhama të errësun, brenda saj ka qenë një person që e ka hap xhamin dhe ka fillu me bërtitë”, ka thënë G.O. për KALLXO.com.

Tutje sipas tij ka pasur bisedë të shkurtër mes tij dhe palës tjetër, dhe se gjatë kësaj bisede ky i fundit ka reportitur revolen e tij.

Pas kësaj, G.O. ka thënë se ka dalë jashtë veturës pasi nuk është ndjerë i sigurt brenda në të.

“Ka kalu në fymje edhe e kam çel xhamin, i kam thanë: ‘Çka mundem me të ndihmu?’, më tha: ‘A e pe çka keve duke bo?”. I thash: “Bohet -bohet. Na i kem bo kerret i blejmë apet” edhe s’e di çka ka thanë diçka edhe më ka thanë ‘ti po më kallxon mu a?’ edhe e ka reportitë revolen. Unë e kam ngre frenin e veturës edhe kam dalë jashtë se brenda në veturë nuk jam ndjerë i sigurt se nuk kam pas qysh me u mbrojtë edhe kam dalë, kam thanë: “Kush je ti që po ma drejton revolen?’ edhe më ka thanë: “Hajt se e merr vesh ti se kush jam unë’”, ka thënë G.O.

Pas këtij veprimi G.O. ka thënë se personi tjetër, për të cilin G.O. po pretendon se është polic, ka ulur armën pasi në vendin e ngjarjes janë afruar persona të tjerë.

“I kam thanë për me thirrë Policinë, më tha tash e thirri unë edhe për asnjë moment nuk më është deklaru që është polic jashtë detyrës me veturë private”, shton tutje ai duke shtuar se ka ardhur Policia. “Nuk e di çka i ka thanë ai, çka i ka rrejtë. Kur kanë ardhë policia unë shihem shumë i relaksuar, shumë i qetë, as nuk kam ba me dorë as kurrgjë, janë kamerat”, vazhdon G.O.

VIDEO: Gjilan, qytetari pretendon se policët e arrestuan brutalisht dhe e keqtrajtuan