IPK: Përpos suspendimit, ndaj komandantit të operacionit është iniciuar edhe procedura administrative për përgjegjësi komanduese

Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se gjatë ditës së djeshme është suspenduar komandanti i operacionit policor gjatë arrestimit të aktivistëve të PSD-së.

Siç njofton IPK, ndaj të njëjtit është iniciuar edhe procedura administrative për përgjegjësi komanduese.

Tutje IPK ka thënë se nuk mund të japin informacione të tjera pasi që rasti gjendet në fazën e hetimit preliminar.

“Duke ju falënderuar për bashkëpunimin e vazhdueshëm ju njoftojmë se përgjigjet janë lidhur me pyetjen tuaj dhe se rasti është akoma në fazën e hetimit preliminar, suspendimi i punonjësit është bërë nga Policia e Kosovës (në këtë fazë ndaj mbikëqyrësit i cili ka menaxhuar me veprimet policore është shqiptuar masa e suspendimit, ndaj të cilit njëkohësisht është iniciuar edhe procedura administrative për përgjegjësi komanduese). Veprimet tjera pritet të ndërmerren në koordinim me prokurorin e shtetit dhe në përputhje me misionin ligjor të IPK-së”, thuhet në përgjigjen e IPK-së për KALLXO.com.

Aktivistët e Partisë Socialdemokrate (PSD) janë arrestuar dje gjatë aksionit të tyre për të kundërshtuar marrëveshjen për ofrimin e tiketës ngjitëse me qëllim të konfirmimit të kontrollimit teknik të automjeteve.

Pas arrestimit, mbrëmë kishte reaguar edhe Qeveria e Kosovës.

Qeveria është shprehur e shqetësuar nga pamjet e dhunës sot gjatë aksionit të PSD-së.