IPK: Një veturë e policisë në disa stacione ndahet për 22 policë

Në disa stacione të Policisë së Kosovës, një automjet ndahet për 22 punonjës.

Ndërsa, në një mesatare e nxjerrë nga Inspektoratit Policor i Kosovës, në të gjitha rajonet, del se një veturë e Policisë ndahet për mesatarisht nëntë zyrtarë policorë.

Kështu është thënë në raportin e IPK-së për inspektimit për “Pajisjet policore në funksion të aktiviteteve operative – administrative”.

Sipas IPK-së, marrë parasysh madhësinë e flotës së automjeteve, gjithsej 1 mijë e 15, në raport me numrin e personelit, gjithsej 9 mijë e 5, një automjet është i ndarë mesatarisht për nëntë punonjës.

Ndërsa bazuar në shpërndarjen aktuale, një automjet është i ndarë për 13 punonjës stacionesh.

IPK ka thënë se në një gjendje më të rënduar se kaq janë Drejtoritë Rajonale të Policisë në Gjilan, Mitrovicën e Veriut dhe në Mitrovicën e Jugut.

Në diagramin e publikuar nga IPK, në rajonin e Gjilanit një veturë shërben për 16 punonjës, ndërsa në atë të Mitrovicës së Veriut dhe atë të Jugut, një veturë ndahet për 15 punonjës.

Mirëpo, nga prizmi i shpërndarjes së automjeteve, IPK ka thënë se 17 stacione të këtyre drejtorive kanë gjendje më të rënduar, pasi bazuar në numrin e punonjësve në raport me ngarkesën e automjeteve një veturë është në funksion të 14 deri në 22 punonjës.

Tutje, IPK ka thënë se në 24 stacione tjera policore gjendja është më e mirë, pasi bazuar në ngarkesën që kanë këto stacione, një automjet është në funksion të 7 deri në 13 punonjësve.

Raporti i numrit të automjeteve të shpërndara në drejtoritë rajonale (stacionet policore) për numrin e punonjësve/Screenshot: IPK