IPK nis hetimet për policin e dyshuar për keqtrajtimin e14 vjeçarit në Fushë Kosovë

Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se ka nisur një hetim ndaj një zyrtari policor të stacionit policor në Fushë Kosovë pasi kanë pranuar informatë se i njëjti ka keqtrajtuar një 14 vjeçar.

“Inspektorati Policor i Kosovës ka pranuar informacionet fillestare lidhur me këtë rast përmes Linjës së Kaltër (080003333) dhe hetuesit e IPK-së kanë filluar një hetim preliminar. Veprimet tjera hetimore priten të ndërmerren në përputhje me misionin ligjor të Inspektoratit Policor të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e IPK-së për KALLXO.com.

KALLXO.com gjatë ditës së djeshme raportoi se një qytetar nga Miradia e Epërme e Fushë-Kosova pretendoi se policët ia rrahën djalin 14-vjeçar për shkak se nuk e kishte të vendosur maskën për mbrojtje nga COVID-19.

Në një bisedë për KALLXO.com, Refik Hyseni thotë se djali i tij u dhunua fizikisht dhe psiqikisht nga Policia. Rasti, sipas tij, ka ndodhur dy ditë më parë në Fushë-Kosovë.

Ai thotë se dy djemtë e tij kanë qenë në qytet dhe një polic nga patrulla ia ka bërë me gisht djalit të dytë që të shkonte drejt tyre.

Policët i kanë kërkuar djalit letërnjoftimin dhe kur djali i ka thënë se nuk ka sepse është 14-vjeçar, një polic e ka kapur për dore dhe i ka thënë futu në veturë të Policisë.

“E kanë fut në veturë e kanë shoqëru në Polici, e kanë rreh e kanë maltretuar, psiqikisht dhe fizikisht”, tha Hyseni për KALLXO.com.

Aktualisht  14-vjeçari është i shtrirë në Spitalin e Pediatrisë, pasi që sipas prindit të tij ai ende është i shqetësuar për atë se çfarë ka ndodhur.

“Djali është i shqetësuar, mbrëmë e ka pasë tensioni 161, është 14-vjeçar. Nuk e di nëse kanë me lëshu nga Spitali”, tregon tutje ai.

Refik Hyseni ka publikuar foto në Facebook, në të cilat shihet djali i tij i shtrirë në Spital.

Në lidhje me këtë rast KALLXO.com ka dërguar pyetje në Policinë e Kosovës por ende nuk ka marrë përgjigje.

Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike ka bërë obligative vendosjen e maskave për qytetarët për të parandaluar përhapjen e COVID-19.

Bartja e maskave, mbajtja e distancës sociale prej së paku 1.5 metra dhe higjiena personale janë mënyra më e mirë për mbrojtje nga COVID-19.