IPK nis grumullimin e të dhënave për trajtimin e rastit nga policia pas vrasjes së gruas shtatzënë mbrëmë

Inspektorati i Policisë së Kosovës ka filluar hetimet lidhur me veprimet apo mos veprimet e zyrtarëve policorë në trajtimin e rasteve që lidhen me incidentin e vrasjes së gruas shtatzënë në oborrin e QKUK-së.

Kështu ka konfirmuar IPK në një përgjigje për KALLXO.com.

IPK thotë se ka filluar një hetim paraprak dhe ka autorizuar një grup hetimor të veçantë të zyrtarëve nga dy nga  departamentet operative të IPK-së, Departamenti i Hetimeve dhe Inspektimeve.

“Duke ju referuar kërkesës suaj ju konfirmojmë se Inspektorati Policor i Kosovës sipas detyrës zyrtare ka filluar një hetim paraprak dhe ka autorizuar një grup hetimor të veçantë të zyrtarëve nga dy nga  departamentet operative të IPK-së (Departamenti i Hetimeve dhe Inspektimeve)”- thuhet në pëgjigjen e IPK-së për KALLXO.com.

Tutje ata thonë se janë angazhuar në grumbullimin e të dhënave lidhur me veprimet apo mos veprimet e zyrtarëve policorë në trajtimin e rasteve që lidhen me incidentin në fjalë.

Më tej, IPK tha se veprimet tjera do të ndërmerren bazuar në autorizimet ligjore të Inspektoratit Policor të Kosovës në koordinim me institucionet tjera relevante.

KALLXO.com në vazhdimësi po raporton për detaje nga rasti i vrasjes së 35 vjeçares shtatzënë.

E njëjta mbrëmjen e kaluar u vra në oborrin e QKUK-së ndërsa ishte duke qëndruar në Klinikën e Gjinekologjisë pasi ishte në prag të lindjes së një foshnje.

Burri i saj është personi i dyshuar për kryerjen e vrasjes ndërsa i njëjti po kërkohet nga organet e rendit dhe gjendet në arrati.