
IPK nis grumbullimin e informacioneve për pretendimet për keqtrajtim gjatë dy rasteve të arrestimeve në Veri
Inspektorati Policor i Kosovës ka nisur procesin e grumbullimit të informacioneve dhe hetimit preliminar për pretendimet se një qytetari të keqtrajtuar gjatë arrestimit në Leposaviq, më 12.01.2025.
IPK ka njoftuar se do të verifikojë rrethanat e arrestimit edhe të një qytetari tjetër në Mitrovicë dhe pretendimet për keqtrajtim.
“Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) do të verifikojnë rrethanat e arrestimit dhe pretendimet për keqtrajtim nga Policia në Mitrovicën e Veriut, lidhur me një incident që raportohet të ketë ndodhur në mbrëmjen e 12 janarit 2025 dhe pretendimet për keqtrajtim gjatë ndërmarrjes së veprimeve policore, në një rast tjetër të një arrestimi në Soqanicë të Leposaviqit.” – thuhet në njoftim.
Politikani serb i Kosovës, Aleksandër Arsenijeviq, lider i partisë Demokracia Serbe, është arrestuar e më pas është liruar nga Policia e Kosovës, më 12.01.2024.
Arsenijeviqit i është shqiptuar tiketë për moszbatim të urdhërit policor.
Po ashtu, Arsenijeviq në një postim gjatë ditës së djeshme në rrjetin social Facebook ka pretenduar se një qytetar serb është lënduar fizikisht nga Policia e Kosovës në Leposaviq.
Ai ka kërkuar hetim dhe transparencë të plotë në lidhje me rastin.
“Kërkojmë nga institucionet relevante, sidomos Eulex, që urgjentisht të reagojnë, të kryejnë hetim të paanshëm, të ofrojnë ndihmë adekuate mjekësore për Vladimir Djordjeviq dhe të mundësohet transparencë e plotë në këtë rast. Gjithashtu, apelojmë te përgjegjësit që të parandalojnë fshehjen e fakteve dhe të sigurojnë drejtësi për të gjithë qytetarët që janë ekspozuar ndaj veprimeve të tilla.” – ka shkruar ai në Facebook
Policia Speciale në sheshin e Mitrovicës së Veriut, Arsenijeviq proteston
Arrestohet e më pas lirohet, Arsenijeviqit i shqiptohet tiketë për moszbatim të urdhrit policor