IPK: Në stacionet policore në Gjakovë dhe në Suharekë në nga një rast nuk u aplikuan të gjitha të drejtat e të ndaluarve

Inspektorati Policor i Kosovës ka publikuar raportin e inspektimit për menaxhimin e procedurave të arrestimit dhe të ndalimit.

Gjatë këtij inspektimi, IPK ka gjetur se Qendrat e ndalimit në Gjakovë dhe në Suharekë në nga një rast nuk kanë aplikuar të gjitha të drejtat e të ndaluarve.

Sipas raportit të IPK-së, personi i ndaluar duhet të njoftohet menjëherë, nga momenti i vënies në dijeni mbi arsyet e arrestimit të tij, si një e drejtë themelore e paraparë me ligj.

Inspektorati Policor, nga 342 dosjen e kontrolluar ka gjetur se në 340 prej këtyre dosjeve janë respektuar dhe janë përmbajtur të drejtat e personave që janë ndaluar.

Ndërsa, këto të drejta zbatim të plotë, sipas IPK-së nuk kanë gjetur në dy raste ku janë ndaluar persona të dyshuar. Njëri rast është thënë se ka ndodhur në Gjakovë dhe një Suharekë.

Për këtë gjetje, IPK ka rekomanduar që mbikëqyrësit dhe personeli përgjegjës në qendrat e ndalimit, të sigurohen se në të gjitha rastet e arrestimit-ndalimit të aplikohen të drejtat e të ndaluarve, duke përdorur formularët standard të harmonizuar me aktet ligjore në fuqi.

Ky është rekomandimi i parë që IPK ka pasur nga inspektimi që kishte filluar më 7 qershor 2022 dhe kishte përfunduar më 15 qershor 2022.

Inspektimi për menaxhimin e procedurave të arrestimit dhe të ndalimit është i përqendruar në vlerësimin e kryerjes së detyrave nga stacionet (qendrat e ndalimit) gjatë periudhës dy vjeçare, 2021/2022 dhe gjendjen aktuale.

IPK ka thënë se gjatë këtij inspektimi është aplikuar metodologji adekuate inspektues, që sipas IPK-së ofron mundësi për të siguruar informacionin e nevojshëm me interes të nxjerrjes së opinionit objektiv mbi proceset e fokusuara.

Për këtë inspektim, IPK ka thënë se ka zhvilluar takime, intervista me 21 përgjegjës të qendrave të ndalimit në stacionet policore dhe me 20 persona të ndaluar.

Po ashtu, sipas IPK-së janë kryer kontrolle fizike të kushteve fizike dhe të sigurisë së qendrave të ndalimit, dosjeve të personave të ndaluar dhe mirëmbajtës së tyre.

Gjithashtu, IPK ka thënë se për të ardhur deri në përfundimin e raportit final, nga ana e tyre janë siguruar dokumente fizike, siç janë raporte vjetore të qendrave të ndalimit, fotografi të kushteve fizike dhe të sigurisë në këto qendra, kopje të dosjeve të të ndaluarve dhe dëshmi të tjera.