IPK në SHBA, prezantojnë operacionet antikorrupsion të viteve të fundit

Kryeshefi i Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj dhe ekipi i tij morën pjesë në konferencën vjetore të Shoqatës Kombëtare të Hetimeve të Brendshme (NIAIA) në Washington të SHBA-së.

Hodaj ishte i shoqëruar nga Atasheu i DoJ ICITAP, Kimberly Riffe , stafi i ICITAP në Kosovë dhe Drejtori i Hetimeve të Brendshme nga Policia e Kosovës, ku së bashku ndoqën punimet e konferencës.

“Në ditën e fundit Delegacioni i Kosovës i udhëhequr nga Kryeshefi Ekzekutiv Kushtrim Hodaj prezantuan operacionet antikorrupsion të IPK-së të viteve të fundit” – thuhet në njoftimin e IPK-së.

Tutje u tha se prezantimi u mirëprit me interes të madh nga pjesëmarrësit të cilët parashtruan pyetje të shumta.

Madje u shtua se delegacioni i IPK-së u mirëprit edhe nga Kryetari i bordit Kapiten Chris Ray, anëtarët e Bordit dhe zyrtarë tjerë të delegacioneve të Agjencive Mbikëqyrëse Policore në SHBA.

Temat e konferencës njoftohet se përfshinë praktikat e mira të lidershipit, ankesat e hetimit të njëanshëm, përdorimin e forcës, përditësimet ligjore dhe tendencat në zhvillim të hetimeve të brendshme.

“NIAIA është organizatë në kuadër të së cilës bëjnë pjesë mekanizmat mbikëqyrëse të policive në SHBA. Konferenca këtë vit priti 304 zyrtarë amerikan dhe ndërkombëtar duke përfshirë 7 shtete; SHBA, Kanada, Meksika, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Shqipëria” – tha IPK.

Tutje u shtua se që nga viti 2021 IPK ka ndjekur konferencat vjetore duke përfituar nga mundësitë e bashkëpunimit dhe rrjetëzimit me organizata tjera dhe është shteti i parë Europian që ju bashkëngjit kësaj organizate.

IPK njoftoi se vazhdon të përkrahet nga Departamenti i Shtetit dhe Ambasada Amerikane në Kosovë, ku përmes INL dhe ICITAP-it po kontribuojnë në ngritjen e kapaciteteve profesionale të IPK-së, duke përfshirë edhe realizimin e pjesëmarrjes së rregullt në punimet vjetore të konferencës.