IPK: Në 19 raste të dhunës në familje me lëndime trupore hetuesit policorë dosjes nuk i bashkëngjitën foto

19 raste të dhunës në familje në të cilat ka pasur edhe lëndime të ndryshme trupore Inspektorati Policor i Kosovës ka gjetur se zyrtarët policorë nuk kanë bashkëngjitur fotografi apo dëshmi në dosje.

Rasti i vrasjes së 18-vjeçares Marigona Osmani nga Ferizaj, e cila ishte dërguar në Emergjencë pa shenja jete, ka bërë që ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, të kërkojë nga Inspektorati Policor i Kosovës të inspektojë trajtimin e rasteve të dhunës në familje nga ana e zyrtarëve policorë.

Ky inspektim është cilësuar si i jashtëzakonshëm dhe ka dalë në përfundime se në disa raste janë neglizhuar procedura nga ana e zyrtarëve policorë në rastet e dhunës në familje. Rastet e inspektuara janë të vitit të kaluar dhe ato të gjashtëmujorit të parë të këtij viti.

Sipas IPK-së, përveç shumë elementeve që duhet të përmbajë një dosje e dhunës në familje, është edhe foto-albumi që duhet të jetë pjesë përbërëse e këtyre rasteve që hetohen nga ana e zyrtarëve policorë.

Fotografitë nga vendi i ngjarjes por edhe të viktimave dhe lëndimeve të marra tregojnë shumë për një rast i cili paraqitet në Polici.

IPK ka gjetur se nga 146 raste të kontrolluara, në 81 prej tyre janë bashkëngjitur foto-albumet e vendit të ngjarjes apo viktimës, ndërsa në 65 të tjera nuk janë bashkëngjitur këto elemente.

Gjithashtu Inspektorati Policor i Kosovës ka gjetur se në 19 raste ku ka pasur dhunë në familje, viktimat kanë pësuar edhe lëndime të ndryshme trupore, fotografitë e të cilave nuk kanë qenë të bashkëngjitura në dosje.

Kjo sipas IPK-së tregon një pakujdesi të zyrtarëve policorë  që ndikon në një hetim profesional, objektiv dhe të paanshëm.

IPK ka rekomanduar udhëheqësit e njësive në nivel lokal dhe rajonal që në të gjitha rastet e dhunës në familje kur dëshmohet se ndaj viktimave është ushtruar dhunë fizike të sigurojnë fotografi për lëndimet dhe të krijojnë një foto-album në drejtim të pasurimit të dosjes së rasteve, drejt dëshmimit të dhunës së përdorur për nevoja të procedurës së mëtutjeshme.

Tutje, raporti i IPK-së, i publikuar në mes të muajit tetor, thekson se një ndër shkaktarët më të shpeshte të dhunës në familje është edhe konsumimi i alkoolit apo lëndëve narkotike.

Policia e Kosovës gjatë hetimit të rasteve të tilla ka të drejtë të përdorë edhe pajisjet për matjen e alkoolit në gjak për një hetim më gjithëpërfshirës të rastit.

Në këto raste nuk përjashtohen as ato për dhunë në familje për shkak se në shumë raste është vërejtur se dhuna në familje ka qenë shkak i përdorimit të alkoolit.

Inspektorati Policor i Kosovës ka thënë se zyrtarët policorë që trajtojnë rastet e dhunës në familje duhet të jenë të kujdesshëm dhe dëshmitë dhe dokumentimi i dhunës në familje ndikon në marrjen e një vendimi meritor gjatë procedurës penale të rasteve të dhunës në familje.

Madje IPK ka rekomanduar udhëheqësit e njësive në nivel lokal dhe rajonal që në të gjitha rastet e dhunës në familje kur dyshohet se shkaktari mund të jetë konsumimi i alkoolit, të bëhet testimi i prezencës së alkoolit në gjak te të dyshuarit dhe rezultati i testimit të mbështetet me dëshmi brenda dosjes.

Në raportet ditore të Policisë së Kosovës të shumta janë rastet kur të dyshuarit për dhunë në familje kanë qenë nën ndikim të alkoolit.