IPK mohon raportimin e televizionit kosovar se hetuesit pranuan 'dhurata' nga persona të dyshuar

Inspektorati Policor i Kosovës, ka reaguar ndaj një kronike të publikuar të premten në televizionin  T7, duke e quajtur lajmin e  pavertetë.

Televizioni T7 të premten ka raportuar se ka filmuar momentin kur sipas tyre pronarët e fermës që dyshoheshin për kontrabandë në Kamenicë, u kanë dhuruar cigare e pije inspektoratit policor.

Ndërkaq, IPK-ja thekson se hetuesit e saj në asnjë moment nuk kanë pranuar ndonjë pako me cigare “si dhuratë” siç përflitet në këtë video.

“Hetuesit e IPK-së që shihen në videon e publikuar në TV T7, kanë pasur mbrapa në veturë një të arrestuar të dyshuar si dhe një hetues të krimeve ekonomike të PK-së. Qytetari i cili shihet në videon e publikuar në emisionin “ Frontal Live” duke dhënë diçka përmes derës së veturës zyrtare është duke dorëzuar një pako me cigare dhe  barna  për personin e arrestuar i cili ka qenë i prangosur mbrapa në veturën zyrtare”, thuhet në reagim.

Ky institucion ka shtuar se “bazuar në parimet bazë të gazetarisë dhe gatishmërisë së IPK-së për transparencë, mediumi në fjalë do të duhej të merrte edhe versionin zyrtar lidhur me këtë ngjarje”.

“Sa i përket pretendimeve lidhur me mos reagimin adekuat të zyrtarëve policorë ne vendin e ngjarjes në raport me kërcënimet ndaj gazetarëve, IPK njofton opinionin publik se sipas detyrës zyrtare ka filluar një hetim preliminar”, thotë IPK-ja.

Tutje në komunikatën e IPK-së, thuhet se bazuar në të lartcekurat, konsiderojnë se opinioni publik duhet të informohet drejt dhe korrekt lidhur me veprimet e hetuesve të IPK-së të cilat janë në përputhje me të drejtat e njeriut për trajtim human të të arrestuarit.